Nuk do të ishte çudi nëse do t’ia dilte që t’i fitonte që të dy trofetë. Laçi u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë pas një ndeshjeje dramatike ndaj Partizanit në Kurbin, që u zgjidh vetëm pas 11-metërshave. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro kaloi në katër më të mirat me rezultatin 4-2 me penallti, ndërsa 120 minuta lojë kishin përfunduar 0-0. Laçi po ashtu kryeson Superligën, ndonëse me vetëm 2 pikë epërsi ndaj Partizanit, Teutës dhe Vllaznisë.
Gjithsesi, për hir të së vërtetës, duhet thënë se Partizani ishte skuadra më e mirë në fushë, duke krijuar më shumë raste për shënim, e duke pasur iniciativën. Të çliruar nga ana psikologjike pas fitores në derbi, të kuqtë e Ilir Dajës ishin superiorë ndaj vendasve që vuajtën disa mungesa, por sidomos presionin e madh. Edhe pse ka dalë më se një herë në finale të Kupës, sërish ekipi kurbinas duket se nuk është mësuar që të jetë në nivele të tilla, në të dyja garat kryesore në Shqipëri. Portieri vendas Alen Sherri priti dy penallti, ndërsa Alban Hoxha i Partizanit vetëm një.
Skënderbeu ishte gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Shqipërisë në futboll. Skuadra korçare arriti një kualifikim bindës duke fituar ndaj Dinamos në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Edhe pse luajti në fushë kundërshtare, Skënderbeu pati epërsi dhe fitoi me rezultatin 3-1, ndërsa sipas skemës së Kupës, kualifikimi vendoset me një ndeshje të vetme. Ekipi i trajnerit Migen Memelli nuk e diskutoi fitoren duke treguar diferencën në nivel mes një skuadre të Superligës dhe asaj të Kategorisë së Parë. Golat u shënuan nga Mensah, Berisha dhe Pusi për miqtë, dhe nga Uelber për vendasit.
Skënderbeu ka pretendime për Kupën, ndonëse po kalon një krizë të vërtetë në Superligë, ku ndodhet në vendin e fundit dhe rrezikon të zbresë një kategori më poshtë.
Sfidanti.al