Sadiku, shqiptari i parë që luan në Kupën e lavdishme Libertadores!

I kishte mbetur pa provuar edhe kjo. Armando Sadiku u bë shqiptari i parë që debuton në Kupën Libertadores në Amerikën e Jugut, duke hyrë si zëvendësues për Bolivarin. Sulmuesi 29-vjeçar u aktivizua në minutën e 69-të dhe nuk pati shumë mundësi për ta treguar veten, ndërsa skuadra nga Bolivia arriti një sukses spektakolar 5-0 duke përmbysur humbjen 0-1 të pësuar në Uruguaj në ndeshjen e parë ndaj Montevideo Uonderers. Mediat jugamerikane e theksuan faktin që Sadiku u bë shqiptari i parë në atë që është Championsi i Amerikës Latine.

Jo vetëm kaq, por mediat boliviane theksojnë se Sadiku është shpresa e madhe e golit për Bolivarin, por nuk luajti dot në ndeshjen e parë për shkak të një problemi në stomak. Theksohet se sulmuesi kuqezi ka luajtur më parë në disa liga europiane si La Ligën apo kategorinë e dytë në Spanjë, në Poloni, Zvicër apo Turqi, ndërsa është aktivizuar në Ligën e Europës dhe në raundet kualifikuese të Championsit.

Sadiku u transferua në Amerikën e Jugut për të ringjallur karrierën e goditur nga dëmtimet, dhe është shprehur optimist se mund t’ia dalë. Problemet fizike nuk e kanë lënë të tregojë veten deri tani, ndërsa ka shënuar gola vetëm në ndeshjet miqësore, por klubi i Bolivarit mbetet me shpresë.

Sfidanti.al