Vëmendja është e madhe kur në fushë zbresin kampionët e Europës. Bajerni pritet të zhvillojë një formalitet sonte në orën 21:00, kur pret Lacio në “Alianc Arena”, veçse thjesht fakti që bavarezët do të luajnë, bëjnë që ndeshja të pritet me interesim. i tillë niveli i kësaj skuadre, që fitoi 6 trofe që nga sezoni i kaluar, përfshi vetë Championsin, Bundesligën, si dhe çdo kupë e Superkupë të mundshme në Gjermani, Europë e në të gjithë botën.
Të besuarit e trajnerit Hansi Flik e treguan veten në stadiumin “Olimpiko” të Romës duke fituar 4-1 me autoritetin e skuadrës numër 1 në rruzull. Mungesa pritet të ketë, ndonëse këtë herë nuk do të prishnin punë. Dyshime për portierin e kapitenin Nojer, si dhe për Kingsli Komanin, i pari me ftohje, i dyti me dëmtim. Mungesa janë Dagllas Kosta, Toliso dhe Nianzu, ndërsa David Alaba mund të mos rrezikohet.
“Ne kemi bërë paraqitje të forta në Champions dhe po ashtu në Bundesligë, – tha Fliku, – synimi ynë është që të vazhdojmë kështu. Ne duam fitoren, aq më tepër që luajmë në shtëpi. Fitoret na shtojnë besimin tek vetja. Gjithsesi, kjo mund të arrihet vetëm duke luajtur mirë, sepse Lacio mbetet ekipi i fortë”.
Lacio, ndërkaq, është në Mynih pa Laxarin dhe Luis Felipen, ndërsa Marushiç pritet të luajë në të djathtë dhe Uesli Hëd të jetë titullar në mbrojtje. Portieri shqiptar, Tomas Strakosha, ende nuk llogaritet për të luajtur. Italianët e kuptojnë se shanset për kualifikim janë të kompromentuar pas humbjes së thellë në Romë, por do të përpiqen të luajnë për moral, për të përfunduar sezonin në Serinë A në mënyrën më të mirë të mundshme, pse jo për t’u kualifikuar sërish në Champions. Gjithsesi, Lacio i ka humbur 3 ndeshjet e fundit radhazi jashtë fushe.
“Kemi punuar kaq shumë këto vjet pikërisht për të luajtur ndeshje të tilla, ndaj skuadrave të tilla dhe në stadiume kaq të shquar, – thotë trajneri Inzagi, – duam të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Përpara sesa të luanim ndaj Bajernit, nuk kishim humbur në Champions, shpresoj që të kemi një tjetër rezultat pozitiv”.
Po në orën 21:00 luhet ndeshja tjetër e turit të dytë, mes Çelsit të Londrës dhe Atletikos së Madridit. Anglezët kanë fituar 1-0 në Spanjë, pas supergolit të Zhirusë, por kualifikimi mbetet i hapur.
Formacionet e mundshme në Bajern-Lacio:
Bajerni (4-2-3-1): Nojer (Nybel), Boateng, Alaba (Zyle), Dejvis, Gorecka, Kimih, Sane, Tomas Myler, Gnabri, Levandovski. Tr. Flik
Lacio (3-1-4-2): Reina, Patris, Açerbi, Radu, Lukas Leiva, Marushiç, Milinkoviç-Saviç, Luis Alberto, Luliç, Kaisedo, Imobile. Tr. Inzagi
Sfidanti.al