Ka ardhur në stol Agostineli, ka humbur në fushë, sulmuesi Salihi. Si me magji, Skënderbeu ka futur “lepurin italian” në bark, dhe në fushë duket një ekip që kujdeset më shumë për portën e vet, sesa për të dhunuar atë të kundërshtarit. Sipas zakonit që u shfaq keto vit, nuk ka më qarkullim të topit. Iku koha kur para portës shfaqeshin mesfushorë dhe mbrojtes. Ka ardhur një italian i cili e ka shndërruar Skënderbeun në një ekip që feston vetëm duke grumbulluar pikë.
Ku është Salihi? Kjo pyetje mundon tifozët korçarë, por dhe adhuruesit e sulmuesit, por edhe shumë të tjerë që futbollin e shohin si argëtim dhe Hamdiun si pjesë të spektaklit. Sa herë që Skënderbeu bie në kurthin e pragmatizmit të trajnerit, siç dëshmojnë ndeshjet e këtij sezoni, Salihi është dhe nuk është në fushë. Kronika e lojes është kaq e varfër gjatë 90 minutave, sa edhe portierët ia kanë “harruar” fytyrën. Por, edhe pse cinizmi taktik i ka prerë oksigjenin, duke e bërë edhe skllav të sisitemit mbrojtës, mbetet një njeri i heshtur që flet pak: “ E di trajneri se si do të luajmë. Golat do të vijnë..”. Po, po golat do të vijnë, nëse Agostineli nuk ndryshon stil, atëhere do t’ia themi italisht shprehjen e moçme “ Do të vijnë golat me trenin e tallashit”.