Nuk është keq që të dëgjosh mendimin e të tjerëve, aq më shumë kur ky “të tjerë” është trajner i një kombëtareve dhe në moshën 60-vjeçare. Ai që duhet të dëgjojë është Juventusi, ndërsa trajneri që ka folur për të, quhet Xhani De Biazi. Tekniku i Shqipërisë ishte i ftuar si analist në studiot e televizionit të kantonit italian të Zvicrës, ku komentoi përballjet e Championsit.
“Juventus duhet të jetë i kënaqur që mori një pikë, – ishin fjalët e tij, – ndaj Lionit rrezioi të dilte i mundur nga stadiumi”. Edhe pse u luajt në Torino, Juve e pati të vështirë dhe De Biazi theksoi se “francezët ishin më mirë fizikisht dhe shumë të shpejtë në kundërsulm”. Një kritikë për kolegun e tij, Alegri, ndonëse pa emër: “Juventusi bëri gabimin që e quajti ndeshjen të fituar para kohe, ndaj edhe rrezikoi shumë”.
Gjithsesi, trajneri i Shqipërisë, vërejtjen më të madhe nuk e pati për kampionen e Italisë, por për kampionatin italian. “Juve është mësuar të fitojë pak a shumë lehtë në Serinë A, – tha ai, – dhe kjo bën që në Europë të hasësh vështirësi. Kujtoni ndeshjen në Lion para dy javësh”. Kritika e fundit e De Biazit ishte për Miralem Pjaniçin, pasi mesfushori boshnjak i duket ende “në ajër”. “Pjaniç nuk bëri rolin e duhur për të dhënë pasime për sulmuesit dhe për të krijuar raste, ndoshta i duhet ende kohë për t’u përshtatur, sepse cilësitë tenike të tij nuk diskutohen”, – përfundoi ai.
Këto ishin fjalët e De Biazit, dhe nëse juventinëve u duken të hidhura, le t’u kujtohet shprehja që “plakut dëgjoji fjalët, jo …”.
B. Kuka