Kohë festash në Korçë, Skënderbeu e Tirana s’e kanë mendjen te … goli!

Nuk pati fitues në Korçë. Në një mot të ftohtë e me shi, Skënderbeu e Tirana u ndanë në paqe me rezultatin 0-0, përfundim që nuk është se kënaqi kënd. Tiranasit donin fitoren për të mos lejuar Kukësin që t’u afrohet në vendin e parë të Abisnet Superligës, ndërsa korçarët vazhdojnë të mbeten në zonën që të zbret në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, dëshira për fitore është një gjë, dhe aftësia për ta arritur diçka tjetër. As skuadra mike e trajnerit Orges Shehi, dhe as ajo vendase e Migen Memellit nuk ia dolën, dhe kjo për arsye të ndryshme. Bardheblutë, që kryesojnë kampionatin, vërtet kanë potencial shumë më të rëndësishëm, por nuk mundën të çanin mbrojtjen e Skënderbeut.

Korçarët, që dikur kanë qenë ekipi më i fortë në Shqipëri, sot janë shumë më modestë ndaj edhe nuk patën shumë forcë për të marrë tri pikët. Rastet ishin të pakta, dhe sulmuesve u mungoi edhe fati, ndërsa portierët nuk gabuan. Barazimi bën që Tirana të mbetet në vend të parë edhe pas javës së 10-të, por Kukësi ka shansin qëtë afrohet në vetëm 1 pikë nëse fiton ndaj Egnatias. Skënderbeu, ndërsa është në vendin e parafundit me vetëm 8 pikë dhe duket se misioni për mbijetesën do të jetë i vështirë.

Sfidanti.al