Skuadra më e vjetër e futbollit shqiptar nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në Superligë. Vllaznia ra në Kategorinë e Parë në mbyllje të ndeshjeve të fundit të Superligës, ndërsa në elitë mbetet Kamza.
Kjo, edhe pse shkodranët fituan 5-1 në Korçë, në një ndeshje të toleruar nga ana e Skënderbeut që ishte shpallur që më parë kampion i vendit. Suksesi i thellë nuk i bëri punë Vllaznisë pasi Kamza mori atë që deshi në fushën e Partizanit. Kamzalinjtë triumfuan 1-0 me një gol të shënuar në nisje të pjesës së dytë, duke u ngjitur në kuotën e 46 pikëve, dy më shumë sesa shkodranët.
Festë e madhe e skuadrës së Kamzës në “Selman Stërmasi”, dhe dëshpërim i thellë i futbollistëve nga Shkodra në Korçë. Kjo ishte hera e dytë që Vllaznia bie nga kategoria, pasi u rrëzua për herë të parë në vitin 1957.
Gjithsesi, mund të pohohet se Kamza e meritoi qendrimin në elitë, pasi u tregua ekip më i mirë se veriorët.
Skënderbeu mbyll kampionatin si kampion, por Kukësi i vendit të dytë shpreson të marrë pjesë në Champions, nëse mbetet në fuqi dënimi i UEFA-s për korçarët.
Sfidanti.al