Lamtumirë  maestro “Shën Andrea”, lodrimi  yt me top  ishte .. poezi

Andrea Pirlo, midis lotëve në “San Siro”, i tha lamtumirë futbollit dhe, me këtë rast, “Moxarti” i kësaj loje popullore arriti, si rrallë kush, të mbledhë bashkë një numër të madh yjesh, me të cilët ai luajti, duke i ofruar publikut të shumtë një spektakël madhështor. Të pranishmit panë plot 14 gola (ekipi i bardhë – 7 dhe ekipi blu – 7), ndërkohë që shumëkush u bind se shumë nga yjet që dolën në fushë, mbas një trajningu disajavor, do të mund të luanin përsëri në një nivel të lartë, ndërkohë që kishte edhe nga ata asa që nuk kanë nevojë fare për stërvitje. Vetkuptohet se rezultati nuk kishte rëndësi, por, sidoqoftë, duhet të përmendim diçka, se ekipi i bardhë ishte në disavantazh 3-7, por arriti që t’i shmangej humbjes dhe falë kujt? Pipo Inzagit të mrekullueshëm që akoma e ka të gjallë ndjenjën e golashënuesit, duke shënuar tre gola brenda nëntë minutave, ndërsa një gol e shënoi Alesandro Matri.

Andrea Pirlo doli nga fusha afër fundit të ndeshjes, duke marrë duartrokitje plotësisht të merituara, ndësa ai u zëvendësua nga i biri i tij, Nikola, gjithashtu, mesfushor dhe më të njëjtin numër si i ati, 21, mbi shpinë.

Ekipi i bardhë: Abiati, Dida, Bonuçi, Kielini, Kostakurta, Favali, Jankulovski, Maldini, Nesta, Odo, Shimiç. Zambrota, Zaneti, Baronio, Kamoranezi, Gatuzo, Lampard, Leonardo, Pepe, Pirlo, Rui Kosta, Verati, Vidal, R.Baxhio, Del Piero, Di Natali, Jakinta, F.Inzagi, Matri, Pato, Ronaldo, Toti, Vieri.

Ekipi blu: Bufon, Storari, Adani, Barzali, Bonera, Kafu, Ferara, Kaladze, Materaci, Serzhinjo, Pirlo, Albertini, Ambrosini, Broki, De Rosi, Diamanti, Markizio, Perota, Sidorf, Bornelo, Kasano, Kvalarela, Ronaldinjo, Shevçenko, Tevez, Toni, Ventolo.

Sfidanti.al