Një ngjarje e rëndë ka shokuar opinionin sportiv në Amerikën e Jugut dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes valën alarmante të dhunës që po përfshin Ekuadorin. Mario Pineida, mbrojtës 33-vjeçar i Barcelona Sporting Club dhe ish-futbollist i kombëtares, u vra pasditen e djeshme në atë që autoritetet e konsiderojnë një atentat të mirorganizuar me motive kriminale.
Sulmi ndodhi rreth orës 16:30 lokale në zonën Samanes 4, në pjesën veriore të qytetit Guayaquil. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Pineida ndodhej pranë një dyqani mishi kur persona të armatosur iu afruan dhe hapën zjarr ndaj tij dhe një qytetari tjetër. Futbollisti u qëllua për vdekje në vendngjarje, ndërsa personi tjetër u plagos dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Vrasja e Pineidas shihet si një tjetër episod dramatik i përshkallëzimit të krimit të organizuar në Ekuador, i cili po godet jo vetëm qytetarët e zakonshëm, por edhe figura të njohura publike, duke hedhur hije të rënda mbi sigurinë në vend.
sfidanti.al

