Për këtë kampionat po thuhet se ka tre kandidatë që mund të synojnë fitoren përfundimtare, por deri tani vetëm njëri ka bindur përgjysmë. Partizani të paktën ka tri suksese edhe pse me lojë të vakët, ndërsa Tirana e Vllaznia duken shumë larg të qenit pretendentë për titull. Kampionët në fuqi u ndalën në barazim nga Kastrioti në Kamzë, pa mundur të tregonin ndonjë dominim në lojë, dhe kanë 5 pikë në 4 javë. Shumë pak për ekipin që “bluajti” pikët sezonin e kaluar, por që ka humbur lojtarë të shumtë me në krye Taulant Seferin. Vllaznia, ndërkaq, është më keq edhe pse paradoksalisht duket më mirë. Fitorja 2-1 ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi” u arrit edhe me epërsi numerike, por edhe nuk mundet të vlerësohet kaq shumë kur vendoset në kontekstin që shkodranët e Josës humbën në fushën (neutrale) e Erzenit, dhe tani u shkërmoqën në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Humbje 0-3 në stadiumin ku Tirana të paktën fitoi 2-0. Një kaos i vërtetë rezultatesh, por kjo jo për shkak se të gjithë janë të fortë, por sepse janë shumë të dobët.
Sfidanti.al