Nëse tifozët duan betejat epike, ata e patën një të tillë. Nuk mund të ketë emër tjetër gjysmëfinalja e US Openit mes Karlos Alkarazit dhe Frensis Tiafosë që zgjati mbi 4 orë dhe që përfundoi vetëm pas 5 seteve. Spanjolli Alkaraz doli fitues në këtë betejë rraskapitëse me rezultatin 3-2, dhe me setet 6-7, 6-3, 6-1, 6-7 e 6-3. Vetëm një adoleshent 19-vjeçar mund të përballojë kaq gjatë ritme të tilla, ndërsa dy ndeshjet e tij të mëparshme në Nju Jork zgjatën në total 10 orë! Alkarazi përballoi jo vetëm klasin e kundërshtarit, por edhe publikun amerikan prej 24 000 spektatorësh në Arenën “Arthër Ejsh” që ishte thellësisht në favor të tenistit vendas.
Ai u bë i dyti adoleshent në Epokën e Hapur që arrin finalen në Nju Jork, ndërsa vlerësohet si talenti i ri më i madh i tenisit që pas shfaqjes së Rafael Nadalit. Finalja ndaj Kasper Rudit do të jetë jo vetëm për titullin, por edhe për të qenë numri 1 në botë. “Luajtëm një gjysmëfinale të një Grand Slemi ndaj edhe duhej të jepnim gjithçka kishim, – tha spanjolli, – pak rëndësi ka nëse lufton për 5 apo 6 orë. Duhet të japësh gjithçka në fushë. Edhe unë, edhe Frensis dhanë shpirtin në fushë. Ai meriton vlerësimin tim më të lartë. Është gjë e madhe që jam në finalen e një Grand Slemi. Nuk mendoj për numrin 1 në botë, por për ndeshjen ndaj Rudit. Ai gjithashtu e meriton që e luan këtë finale”.
Norvegjezi Rud fitoi më herët, ndërsa e pati pak më të lehtë ndaj rusit Karen Haçanov me rezultatin 3-1. Rud është për herë të dytë në një finale Grand Slemi, pasi ishte më parë në finalen e Rolan Garosit në Paris. Dueli për titull në US Open luhet gjatë natës së të hënës me kohën shqiptare.
Sfidanti.al