Çfarë pabesie e bukur e Kukësit, një perlë për të vjedhur 90 minuta!

Në Shkodër thonin me humor se Pero Pejiç është i rrezikshëm vetëm kur gjuan nga pika e bardhë e penalltisë, por kroati doli i pabesë në “Loro Boriçi”, duke dërguar në rrjetë një top me një stil të paparë nga encja.  Do të kujtohet gjatë në Shkodër,  por edhe kujtesa me qark të shkurtër e këtij kampionati s’mund ta fikë dot perlën e vetme të një ndeshjeje që nuk meritonte të zbukurohej me një gol të tillë.

Sigurisht, nuk mund të thuhet pas ndeshjes se Vllazninë e dënoi fati, ngaqë shkodranët edhe pse treguan një vullnet të admirueshëm për të mos e dorëzuar ndeshjen, përsëri e shtuan dozën e mosbesimit tek tifozët e tyre që ishin gati ta quanin fitore edhe barazimin. Të paktën ashtu siç shkuan gjërat. “ Edhte fati nuk ishte me ne” – fjalët e trajnerit Cungu nuk krijojnë rezonancën e duhur në Shkodër, edhe pse të gjithë e panë se ishte një goditje vrasëse në ence, ajo që mori peng logjikën e 90 minutave.

Sfidanti.al