Tani kur ende nuk ka përfunduar java e katërt e Superiores, nuk është e vështurë të parashikojmë se ky kampionat do të vazhdojë të jetë i vështirë për t’u ndjekur, ndërkohë edhe më i vështirë për ta kuptuar. Dhe nëse ka mbetur dikush që vuan nga sindroma e optimistit kronik, atëherë edhe mund të konsiderohet një aktivitet unikal në rajon, epitet me të cilin e kanë thërritur me përkëdheli prej vitesh, dashamirësit e organizatorëve. Tirana nuk po mundet as t’i afrohet profilit të sezonit të shkuar, ose me fjalë të tjera, është e ngjashme me skuadrën e kupave të Europës, ndërsa Partizani, pas shkarkimit të Mehmetit ka rilindur nga hiri i vet.
Vllaznia javë pas jave teston humorin e shkodranëve, një herë duke dhuruar paraqitje spektakolare dhe herë tjetër nga ato që të djegin sytë nga mosbesimi. Ndërkohë që Teutën, Kukësin, apo ndonjë emër tjetër të krijuar për të qenë në krye, tashmë po e bëjnë skuadrat e dorës së dytë, të cilat po e shfrytëzojnë më së miri këtë situatë kaotike, për të bërë sa më shumë pikë në arkën e tyre të kursimit, që ka gjasa të numërohen me buzëqeshje në ditët e fundit të kampionatit.
Ndërsa rrëzimi i figurës së trajnerit, siç shtyhen me të pasmen e dorës figurat, në një lojë shahu të përfunduar keq, vazhdon të jetë një karakterestikë vërtetë unikale e futbollit tonë. Ata, të cilëve u është besuar faza përgatitore, duke presupozuar edhe merkaton, pas pak më shumë se 360 minuta të luajtura, ose janë larguar nga drejtimi i pankinave, ose janë rrezik. Skënder Gega dha dorheqjen e dytë dhe që nga dje nuk është trajneri i Kukësit. Për herë të parë ka qenë një vendim, pasi kaloi një Covid të rëndë dhe atëherë thuhej se klubi nuk i qëndroi shumë pranë në ato moment të vështira. Ndërsa tani, u dorëhoq duke falenderuar klubin dhe veçanërisht presidentin për mbështetjen e pakufijshme. Sidoqoftë tingëllon pak e çuditshme, pasi në ditët më të nxehta të verës, Gëgës i sollën një autobus të mbushur me futbollistë dhe pa i mësuar ende emrat e të gjithëve u largua me dorë në zemër…