Barcelona ka disa vendime të rëndësishme për të marrë para hapjes së afatit kalimtar veror në fillim të korrikut, dhe një nga çështjet kryesore lidhet me të ardhmen e Marcus Rashford, huazimi i të cilit përfundon në fund të sezonit.
Rashford ka bindur me paraqitjet e tij që nga transferimi në Kataloni, por aktualisht kjo nuk mjafton që Barcelona të aktivizojë opsionin e blerjes nga Manchester United. Klubi katalanas preferon një tjetër marrëveshje huazimi në vend të një transferimi të përhershëm, por drejtuesit në “Old Trafford” kanë bërë të qartë se kjo nuk është një mundësi. Sulmuesi anglez së fundmi konfirmoi dëshirën për të qëndruar përgjithmonë te Barcelona dhe madje ka pranuar një ulje prej 40 për qind të pagës për ta bërë të mundur këtë transferim.

