Për momentin, tifozët le të kënaqen me arenën italiane, dhe skuadra e tyre nuk po i zhgënjen. Milani fitoi një ndeshje të tillë të vështirë që tregoi se përse cilësohet sot si favoriti për të fituar titullin në Serinë A, duke lënë pas favoritin e fillimit të sezonit, Interin. Në stadiumin “Marasi” (Luixhi Ferarris) të Gjenovës, kuqezinjtë e trajnerit Stefano Pioli, luajtën me shpirt dhe me karakter kundër Sampdorias duke mos u dorëzuar edhe në kushtet më të vështira. Gjithë pjesa e dytë u luajt me 10 lojtarë, pasi njëri nga më të mirët u përjashtua me të kuqe, dhe ky ishte Leao.
Mesiasi shënoi për milanezët në pjesën e parë, pastaj erdhi përjashtimi i Leaos, dhe Gjuriçit barazoi rezultatin, por dorianët gabuan duke shkaktuar penallti dhe veterani Zhiru shënoi sërish një gol të rëndësishëm. Francezi veteran luajti për shkak të dëmtimit të Origit. Kjo bëri që kampionët të bashkoheshin në krye me Napolin, 2 pikë mbi Interin, por duke pritur se çfarë do të bëjë Atalanta. Trajneri Pioli deklaroi se kjo ishte fitore e vështirë, por e kërkuar deri në fund, ndërsa trajneri i Sampdorias, Xhampaolo sulmoi arbitrin që sipas tij “donte të ekuilibronte gjërat pas të kuqit ndaj Leaos”.
Sfidanti.al