Manchester City u largua nga Anfield me një pikë, ndoshta edhe me fat pas paraqitjes së Liverpoolit në pjesën e dytë. Pep Guardiola e pranoi pas ndeshjes së ndikimi i tifozëve në këtë stadium është i pamohueshëm. “Pjesën e dytë, nëse ke diçka për të mbrojtur, duhet të luash me të gjitha forcat”, u tha Guardiola gazetarëve. “Në 15-20 minutat e fundit ky stadium u kthye “tsunami”, ata vinin nga çdo anë. Por pasi Mateo Kovacic hyri në fushë, ne mund të bënim më shumë pasime, jo sepse nuk donim më parë, por sepse ata janë vërtet shumë të fortë në presing dhe kundërpresing. Në këtë stadium, nuk është e lehtë.”Guardiola, në fakt, nuk i kurseu lëvdata për Liverpoolin në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes, duke shtuar: “Skuadra më e mirë që kam parë ndonjëherë në presionin e lartë…të luash këtu në Anfield është krejtësisht ndryshe. Mjedisi është një realitet dhe lojtarët e dinë këtë, por ne kurrë nuk u përpoqëm të harronim të luanim.” Një barazim nuk është fundi i botës për Liverpoolin, nëse fiton çdo ndeshje do të përfundonte në krye pasi City dhe Arsenali duhet të përballen në “Etihad”.
sfidanti.al