Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë kundër qeverisë shqiptare për projektin e Ligjit për Sportin që pritet të kalojë në Kuvend. Presidenti i saj, Armand Duka, i pranishëm në mbledhjen e komisionit parlamentar për sportin, pati kundërshtime për krijimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Duka deklaroi se futbolli i ka zgjidhur mosmarrëveshjet në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, ndihmuar edhe nga përvoja shumë e madhe e kësaj gjykate sportive.
Ai u shpreh se duhet detajuar se çfarë do të gjykojë kjo Gjykatë e re, nëse bëhet fjalë për konflikte mes federatave apo për vendimet e marra nga komisionet e brendshme të federatave. Presidenti i Federatës së Futbollit po ashtu kërkoi të dinte se çfarë është bërë me paratë e lotarive sportive. Sipas projektligjit parashikohet që 0.4 për qind e fitimeve të lotarive sportive të shkojnë për sportin, por kjo përqindje, sipas Dukës, është shumë e vogël.