Shënimi i një goli ndaj Milanit në derbin e “Madonnina”-s do të jetë sfida e madhe e Mauro Ikardit. Skuadra kuqezi është e vetmja në Serinë A, të cilët sulmuesi argjentinas nuk ka mundur dot t’i shënojë asnjëherë duke u kthyer në një tabu .
Deri tani Ikardi ka qenë në fushë kundër Milanit në 7 ndeshje, por në asnjë prej tyre nuk ka qenë në gjendje që të gjejë golin ndaj kuqezinjve. Në total, Ikardi ka luajtur 475 minuta ndaj Milanit, 90 me fanelën e Sampdorias dhe 385 minuta me fanelën e Interit duke mos e gjetur asnjëherë mënyrën për të çuar topin në rrjetën e kuqezinjve.
Këtë të diel ai do të kërkojë të ndërpresë këtë thatësirë goli ndaj Milanit edhe për një arsye tjetër. Sulmuesi dëshiron të fshijë nga kujtesa humbjen 3-0 në derbin e fundit në 31 janar ku Mauro humbi edhe një 11 metërsh që do të barazonte shifrat në 1-1.