Xhani De Biazi është dorëzuar pas humbjes me Izraelin dhe nuk mendon se kombëtarja shqiptare ka shanse që të shkojë në Botëror. Edhe pse, gjithmonë mundësitë për të shkuar në Rusi 2018 ishin të vogla, pasi në grup u shortuam me Spanjën dhe Italinë, sërish vetëm pas përballjes së fundit, trajneri Italian nuk e përmend shkuarjen në Botëror.
Ai u intervistua nga televizioni publik Italian, RAI, përpara ndeshjes miqësore Itali-Gjermani në “San Siro” të Milanos dhe pohoi s “Shqipëria tani mund të luftojë vetëm për vendin e tretë”. “Ndaj Izraelit u bë një ndeshje jo siç e prisnim, – tha De Biazi, – Mendoj se Italia dhe Spanja nuk do ta kenë aspak të vështirë të dalin në vend të parë dhe të dytë. Vendi i tretë vlen pak, por për ne mund të jetë i rëndësishëm ndaj do ta provojmë”.
Edhe për vendin e tretë, kombëtarja nuk do ta ketë aspak të lehtë, pasi Izraeli ka 3 pikë më shumë dhe fitoi ndeshjen direkte në Shqipëri. Po ashtu, ekipi përfaqësues do të duhet të luajë në Maqedoni, në Itali dhe në Spanjë, në ndeshjet e mbetura.