Kushtoi thuajse 1 miliard euro, ka një kapacitet prej 50 mijë spektatorësh dhe është dizenjuar nga arkitekti i famshëm Herman Tilke. Cirkuiti i Jas Marinës është kthyer në enigmën e fundit për titullin e Formula 1, me garën e Abu Dabit që do të vendosë dhe kampionin e ri.
Kjo pistë ka sjellë në sezonet e kaluara disa prej garave më spektakolare, përplasje dhe goditje të palejuara, parakalime të çmendura e madje dhe nervozizëm tej limitit.
Në pritje të verdiktit që do të japë cirkuiti aziatik, Hamilton ka nisur një lloj lufte të ftohtë fjalësh, për të çuar presionin mbi supet e kryesuesit Rosberg. Vetëm 12 pikë i ndajnë protagonistët.
“Jam i lumtur që kam fituar në garat e fundit dhe Nico nuk ka asnjë avantazh mbi mua. Për momentin Rosberg po bën punën që duhet, ai ka përfunduar çdo garë dhe nuk ka patur probleme, siç kam vuajtur unë. Jam në një pozicion të çuditshëm para garës së fundit dhe nuk bën shumë diferencë sesi do drejtoj tani, pasi kam humbur shumë gjatë vitit. Nuk do të dorëzohem pasi asnjëherë nuk e di çmund të ndodhë”, tha Hamilton.