Është dita e gjyqit të fundit për Ernest Gjokën! Trajneri i Kukësit pret që Federata Shqiptare e Futbollit t’i japë të drejtën përfundimtare për paratë që i takojnë nga një kontratë e dikurshme me Flamurtarin. Palët do të takohen sot në selinë e FSHF-së (do të jetë avokati i Gjokës, jo vetë trajneri) dhe pas shumë sorollatjeve, besohet se gjithçka do të marrë fund.
Nuk janë pak, por besohet rreth 40 000 euro, të cilat klubi vlonjat duhet t’ia japë specialistit tiranas për kontratën e prishur në mënyrë të njëanshme në vitin 2014. Administratori i Flamurtarit, Idrizi, ka bërë “pingpong” duke ia hedhur fajin bashkisë që në atë kohë drejtohej nga Shpëtim Gjika, veçse Gjokën dhe FSHF-në kjo nuk ka shumë rëndësi. Borxhi mbetet i vlonjatëve.
Historia u zgjat shumë pasi Dhoma e Zgjidhjes në Konflikteve e dha një vendim në favor të trajnerit, pastaj u tha se dolën fakte të reja (cilat janë ato?), dhe Komisioni i Disiplinës ia ktheu çështjen përsëri Dhomës. Burime në Federatë bëjnë me dije se kjo e fundit (DHZK) nuk ka ndërmend të ndryshojë vendim, madje as nuk e quan të drejtë të shqyrtojë një çështje për të cilën ka dhënë zgjidhje një herë. Pra, duket se Ernest Gjoka duhet të bëhet gati “tua gjejë vendin parave”.