E bujshme nga Spanja! Ancelotti pranë Brazilit

Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme të pasuksesshme, Brazili vazhdon të këmbëngulë për të sjellë Carlo Ancelottin në drejtimin e kombëtares. Federata Braziliane e Futbollit po ndjek një strategji të re për të arritur këtë objektiv, duke e kanalizuar përmes Diego Fernandes, një biznesmen brazilian i cili, ndonëse nuk ka rol zyrtar në federatë, gëzon lidhje të ngushta me botën e futbollit dhe me drejtues e lojtarë të rëndësishëm në vend.

Sipas burimeve pranë kësaj përpjekjeje, bisedimet me përfaqësuesit e trajnerit italian po zhvillohen në mënyrë shumë diskrete. Qëllimi është i qartë: Ancelotti duhet të jetë në pankinën e Brazilit përpara datave zyrtare të FIFA-s në qershor, në mënyrë që të drejtojë kombëtaren në ndeshjet kundër Ekuadorit dhe Paraguait, të vlefshme për kualifikimet e Botërorit.

Kjo është kthyer në një përparësi për CBF-në, sidomos pas humbjes së rëndë 4-1 ndaj Argjentinës, e cila ka lënë gjurmë të thella në ambientin e ekipit. Pavarësisht se Brazili ndodhet aktualisht në vendin e katërt të grupit kualifikues, kualifikimi nuk është ende i sigurt, ndaj federata po kërkon një “goditje efekti” përtej rezultateve të momentit. Nga ana e tij, Ancelotti ka mohuar muajin e kaluar në një konferencë për shtyp se ka pasur kontakte me CBF-në. Megjithatë, burime të afërta konfirmojnë se bisedimet janë zhvilluar përmes personave që përfaqësojnë interesat e tij.

Emisarët brazilianë janë të bindur se këtë herë marrëveshja është më afër se kurrë. Ndërkohë, biznesmeni Fernandes është parë disa herë në ndeshje të Real Madridit në “Santiago Bernabéu”. Në kampin madrilen, faza përfundimtare e sezonit është në qendër të vëmendjes, por në prapaskenë po rritet gjithnjë e më shumë emri i Xabi Alonsos si pasues i mundshëm i Ancelottit, nëse ky i fundit vendos të largohet.

Megjithatë, Real Madrid ka mbështetur vazhdimisht trajnerin italian, i cili ka edhe një vit kontratë. Presidenti Florentino Pérez, në rast të një ndarjeje eventuale, dëshiron që kjo të ndodhë në mënyrë miqësore, duke i njohur meritën dhe kontributin Ancelottit në këtë fazë të dytë në krye të ekipit.

sfidanti.al