Dinamo-Partizani, “derbi në kohën e kolerës”

Dinamo City dhe Partizani do të ndeshen sot për herë të parë këtë sezon për të shkelmuar minikrizën e rezultateve në të dy klubet që nuk gjejnë rrugën e fitores në 180 minutat e fundit. Një derbi disi anormal i “çngjyrosur” për shkak të rrethanave të veçanta që rrethojnë Dinamon pa stemën e vjetër për të cilën u luftua shumë vite më parë por sot drejtuesit e kanë hedhur në “kosh”.

Nëse mund ta quajmë “nëndetëse”, këtë herë Dinamo City bën mirë të jetë pajisur me silurë me rreze të gjatë sepse përballë do të ketë Partizanin e uritur për pikë e një ndeshje tjetër false mund të ngrejë pikëpyetje edhe për Zekic që ashtu si Di Biagio është ende në kërkim të vazhdimësisë.

Në fushë do të zbresin 35 tituj por shumë pak entuziazëm. Derbi, nëse ende mund të jetë i tillë, do të luhet në Elbasan. Numri i pakët i tifozëve dinamovitë edhe për shkak të prishjes së stemës dhe traditës por edhe fakti që nuk luhet në kryeqytet, e distancon edhe më shumë futbollin nga njerëzit që dikur për një ndeshje të tillë mbanin radhë përpara biletarisë. Sa shumë trishtim…

sfidanti.al