Daja, Duro dhe Egbo, cili do të jetë valsi i trajnerëve në Superligë?!

Italianët nuk kanë dalë plotësisht nga moda, por nuk janë si më parë. Tek Partizani mendojnë që Adolfo Sormani bën më shumë për Akademinë sesa për ekipin e parë, dhe drejtuesit e lartë e kanë ndarë mendjen për sezonin e ardhshëm. Dëshira e Olsi Ramës dhe e Gazmend Demit është Ilir Daja, trajneri i sotëm i Skënderbeut, dhe duket se kryeqytetasit do të kenë më pak konkurrencë.

Shkëndija e Tetovës, që mendohej se e donte Dajën, e ka ndarë mendjen për të mbajtur trajnerin që ka, Ernest Gjokën. Burime pranë teknikut kryeqytetas pohuan për televizionin se palët janë duke mbyllur gjithçka për të bashkëpunuar edhe sezonin e ardhshëm. Me gjasë, Daja mund të pëlqehet edhe nga Tirana, por presidenti Refik Halili për momentin nuk mendon se duhet të bëjë lëvizje, përderisa skuadra po fiton nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo, dhe po shkon drejt titullit të parë në 10 vjet.

Një tjetër emër që duhet përmendur është ai i Shpëtim Duros. Ish-trajneri i Kukësit po kalon një periudhë pushimi, në pritje të ofertave të përshtatshme. Burime të besueshme tregojnë se emri i Duros është përmendur tek Partizani, klubi ku ai ka qenë lojtar dhe trajner, por për momentin Daja është më i favorizuar. Gjithsesi, Duron e pëlqejnë klube në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, edhe pse trajneri po pret përpara sesa të hedhë hapin e radhës në karrierë.

Sfidanti.al