Cikallesh, vërtet të erdhi “zogu në dorë” në moshën 29-vjeçare?!

Nuk është aspak i vjetër, por zakonisht kulmi profesional arrihet më shpejt. Duket se është rezervuar në moshën 29-vjeçare që Sokol Cikalleshi të luajë në një nga 5 kampionatet më të fortë të botës, në atë italian. Sulmuesi i kombëtares shqiptare pëlqehet nga Leçe, një klub ndoshta jo i madh, por gjithsesi pjesë e Serisë A.

Drejtori sportiv i puljezëve, Mauro Meluzo, kërkon të forcojë ende një skuadër që ka nevojë të përballojë nivelin elitar, dhe njëri prej emrave që ka në tavolinë, është edhe ai i shqiptarit. Leçe dëshiron të mbijetojë në Serinë A, por nuk do ta ketë aspak të lehtë siç e tregoi humbja 0-4 në fushën e Interit, ndërsa trajneri Fabio Liverani ka nevojë për alternativa në mbrojtje e në sulm.

Kavajasi luan që prej vitit 2015 në Turqi, ku ka veshur fanelat e Istanbul Bashaksehirit, Akhisarit, Osmanlisporit e Gëztepesë, ndërsa ka pasur përvojë në Kroaci me Splitin dhe në Korenë e Jugut. Në Shqipëri, u aktivizua me katër skuadra, Besën, Skënderbeun, Tiranën e Kukësin.

Në total, ai ka luajtur gati 300 ndeshje për klubet dhe ka shënuar gati 90 gola. Me kombëtaren ka 31 ndeshje e tre gola, që nga viti 2010, duke qenë sërish njëri nga sulmuesit kryesorë, me trajnerët Kuzhe, De Biazi apo Edi Reja.

Sfidanti.al