Çfarë rivali ke Kosovë, Anglinë dhe njeriun-rekord Harri Kejn

Bullgaria e sotme padyshim që është tepër larg asaj të kohëve kur luante Asparuhovi apo Stoiçkovi, por gjithsesi kur ajo mundet 4-0 është një lloj lajmi. Kjo, edhe kur ndodh në stadiumin “Uembli” të Londrës përballë Anglisë së Garet Sauthgejtit. Kaq i mirë ishte ekipi gjysmëfinalist i Botërorit, saqë nuk e pati aspak problem kundërshtarin ballkanas, dikur të frikshëm. Kjo Angli do të jetë rivalja për vend të parë në grup e Kosovës, pa përjashtuar këtu edhe Republikën Çeke.

Heroi i Anglisë ishte sërish Harri Kejni, një njeri që duket më i abonuar me golin te kombëtarja sesa te Totenhemi. Ai realizoi tri herë në portën bullgare, dy herë me penallti, dhe tani ka 25 gola në 40 ndeshje për “tre luanët”. Shumëkush thotë se Kejni, që është 26 vjeç, do ta thyejë rekordin e golave të Anglisë, që e mban Uejn Runi me 53, dhe që e vendosi në moshën 32-vjeçare vitin e kaluar.

Sfidanti.al