Trajneri i Kaljarit, Davide Nicola, ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të sfidës së nesërme kundër Fiorentinës, që do të luhet në stadiumin “Franchi” në orën 12:30. Trajneri është pyetur se kush do të jetë portieri titullar në transfertën e Firences dhe ka lënë të kuptohet se do të jetë sërish Alen Sherri, ai që do të mbrojë portën e skuadrës sarde. “Sherri apo Scuffet? Sherri ka luajtur 3 ndeshje, më duhet të kuptoj potencialin e të gjithëve, synimi është të ndërtojmë paraqitjet tona me lojtarë të ndryshëm. Mendoj se Sherri do të luajë nesër. Pas 4-5 ndeshjeve do të keni një vlerësim të përgjithshëm të lojtarit”, ka thënë Nicola. Sherri u transferua gjatë merkatos së verës tek Kaljari dhe pas një fillimi të vështirë, portieri 26-vjeçar duhet se ka fituar besimin e trajnerit, pasi projektohet si titullar për ndeshjen e katërt radhazi në kampionatin italian.
sfidanti.al