Bylisi nuk po gjen stabilitet në këtë kampionat, ku po shfaq luhatje të forta dhe mbetet në vend të fundit në renditje. Ballshiotët shkuan në Elbasan me synimin për të marrë rezultat pozitiv, pasi vinin me moral të lartë pas fitores me Vllazninë, por nuk ia dolën të ktheheshin qoftë edhe me një pikë. Bylisi në fakt bëri një pjesë të parë shumë të mirë, edhe pse me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të kapitenit Abazaj, kaloi në avantazh dhe më pas u ndëshkua me 2 gola. Përtej rezervave në lidhje me gjykimin e ndeshjes, duhet theksuar se Bylisi humbi edhe për gabimet e veta. Megjithatë, nuk ka kohë për të “qarë”, sepse pak ditësh në Ballsh vjen Partizani kryesues. Do të jetë shumë e vështirë për Bylisin, duke parë edhe mung esat. Kapiteni Marin Abazaj është i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Elbasanit dhe është mungesë e sigurt, ashtu si ajo e mesfushorit Henri Sulovari, i cili plotësoi numrin 4 të kartonëve të verdhë. Edhe një ditë pas ndeshjes në Elbasan ekipi ka dalë në stërvitje për të nisur përgatitjet për sfidën me Partizanin në “Adush Muçaj”. Te Bylisi pritet të ketë një analizë të detajuar për gjithë ecurinë e deritanishme, por me shumë mundësi do të priten edhe tri ndeshjet e fundit të 2024-ës, ato me Partizanin në shtëpi dhe Skënderbeun dhe Teutën në transfertë. Ballshiotët do të përpiqen me të gjitha forcat që të lënë fundin e tabelës së renditjes, që ata janë të bindur se nuk e meritojnë.
sfidanti.al