Me diferencën në krye të Bundesligës sërish në 6 pikë, në Mynih ndihen më të qetë, por sipas traditës gjermane nuk mund të kalojë asgjë pa analizë. Mediat bavareze, që janë pranë klubit dhe tifozëve, shkruajnë se paraqitja ndaj Këlnit ishte një kënaqësi sidomos për Robert Levandovskin. Sulmuesi polak arriti 300 gola në kampionat dhe po shkon drejt rekordit të Mylerit, ndërsa kënaqësia ishte edhe për nga dy asistë që shërbyen Tomas Myleri dhe Leroi Saneja. Kjo e ndihmon shumë lojën e Bajernit, ndonëse mediat do të donin që Myleri e Sane të shënonin më shumë personalisht. Edhe Manuel Nojeri u djersit që mbajti rrjetën të paprekur, dhe kjo ka aspektin e mirë që ai është në formë, por edhe anën negative që mbrojtja bavareze u ça disa herë. Ndërkaq, francezi Pavar po del më i mirë si qendërmbrojtës sesa si mbrojtës i djathtë, diçka që vetë ai e ka pohuar, ndonëse ka luajtur sipas nevojave të ekipit. Shqetësimi kryesor i Bajernit mbetet Serg Gnabri, i cili do të marrë kontratë të re dhe rrogë më pranë Sanesë e Komanit, por që nuk po tregon këto kohë formën e tij të zakonshme.
Sfidanti.al