Argjentina uron Mesin, gallatë me dhuratat e shokëve të kombëtares për yllin!

Lionel Mesi i ka bërë mbi 8 000 km nga Barcelona në Brazil me synim për të fituar Kupën e Amerikës, diçka që nuk e ka arritur kurrë, por shokët e skuadrës nuk e lanë rastin t’u shpëtonte. Ata e zgjuan pikërisht natën kapitenin e tyre duke i uruar ditën e lindjes. Ylli më i madh i futbollit botëror, të paktën në epokën tonë, mbushi 34 vjeç dhe i qëlloi që të ishte i grumbulluar me kombëtaren e Argjentinës në Brazil, aty ku po luhet kampionatit i kontinentit.

Urimet e shokëve të përfaqësueses ishin nga më të ngrohtat, ndërsa nuk mungoi humori për disa nga dhuratat. Kishte aty deodorant, por po ashtu edhe solucione të tjera të çuditshme, veçse nuk munguan edhe disa shishe vere, ndonëse për arsye të regjimit sportiv nuk janë të këshillueshme të pihen. Në fund, edhe një kapele për ta mbyllur gjithçka duke qeshur. Mesi është paraqitur shumë mirë deri tani në Kupën e Amerikës ku Argjentina është kualifikuar për në çerekfinale, me dy fitore nga 1-0 ndaj Uruguajit e Paraguajit, dhe barazimin 1-1 me Kilin. Synohet titulli, me argjentinasit që kanë fituar 14 gjithsej në histori, një më pak se Uruguaji, ndonëse favorit jepet Brazili.

Edhe Barcelona nuk harroi t’ia uronte ditëlindjen kapitenit të saj që nga Europa. Klubi katalanas i dedikoi edhe një video për gjithë karrierën të kaluar në “Kamp Nou”, ndërsa shpresa është që Mesi të rinovojë kontratën që përfundon në fund të këtij muaji. Pritet që kjo gjë të ndodhë në korrik.

Sfidanti.al