Kështu është shprehur vetë kampioni serb në një intervistë të ditëve të fundit në Majorka, ku po merr pjesë në një turne tjetër tenisi. “Ishte e pabesueshme si fitore, – tha Nole, – arritur ndaj Nadalit në gjysmëfinale, në një turne që ishte shtëpia e tij, ku ai ka qenë dominues për shumë vjet. Pas ndeshjes, ndjeja sikur po i thoja vetes se “për mua turneu përfundoi tani që fitova me Rafën”, edhe pse e dija se do të kisha një finale të vështirë me Stefanos Cicipasin.
Natyrisht, turneu nuk kishte përfunduar, sepse pas 40 orësh kisha finalen”. Gjokoviç fitoi 3-1 gjysmëfinalen ndaj Nadalit dhe 3-2 me përmbysje finalen kundër Cicipasit, ndaj komenton se “ishte një fitore e veçantë për të gjitha këto arsye”. Tashmë, synimi është në Uimbëlldon, ku Gjokoviçi ka fituar në 2018 e 2019, ndërsa në 2020 nuk u zhvilluar Grand Slemi për shkak të pandemisë. “Shpresoj të vazhdoj me suksesin, – thotë ai, – ndihem mirë dhe jam përmirësuar shumë në fushat me bar. Gjithsesi, çdo Grand Slem është sikur do të ngjisësh Malin e Everestit”.
Sfidanti.al