Anglia e pafuqishme vërshëllehet për barazimin me Skocinë!

Nëse Italia e Holanda kanë bindur me rezultate e me lojë, nëse Franca ka qenë e fortë dhe Gjermania këmbëngulëse deri në fund, nëse Spanja të paktën dominoi ndaj Suedisë edhe pa fituar, Anglia që u pa ndaj Skocisë ishte një mjerim. Jo në krejtësisht kuptimin e fjalës, por shumë larg një skuadre që dëshiron të shfaqet si kandidate për titull në Euro 2020, ndërsa Skocia e vuri në vështirësi serioze përveçse i mori barazimin 0-0. E vërtetë, që të besuarit e trajnerit Garet Sauthgejt janë më të lehtësuar sepse Kroacia e Çekia dolën barazim 1-1, por nëse kualifikohen ata do të kenë përballë kundërshtarë më të fortë.

Anglia mbajti 60 për qind të topit, por pa dobi, ndërsa Skocia u tregua më e rrezikshme, më skuadër, më dinjitoze dhe më e freskët. Harri Kejn ishte hija e vetvetes, ashtu si edhe ndaj Kroacisë, tepër i lodhur, ndërsa shumë lojtarë të rinj e pa përvojë nuk e përballuan dot presionin e një derbi të tillë të ashpër dhe me shumë zhurmë mediatike. Xhejms, Mings, Shou, Filips, Rajs, Foden, Maunt apo Grelish kanë fare pak eksperiencë ndërkombëtare. Për këtë lojë, anglezët u vërshëllyen nga tifozët e tyre.

Anglia: Pikford, Xhejms, Stouns, Mings, Shou, Filips, Rajs, Foden (Grelish 63’), Maunt, Stërling, Kejn (Rashford 74’). Tr. Sauthgejt

Sfidanti.al