Angli-Islandë? Na fal Shqipëri, por ne mund të luajmë në Gjermani!

Elbasanin apo Shkodrën me gjasë nuk do t’i shikojnë dhe planet duket se po ndryshojnë. Mediat angleze nuk janë më aq shumë të skandalizuara që Federata e tyre e Futbollit mendoi t’i dërgonte “tre luanët” pranë brigjeve të Adriatikut, sepse tashmë “pole position” ka dalë kandidatura hijerëndë “Gjermani. Në vendin e madh të Europës mund të luhet ndeshja Angli-Islandë për Ligën e Kombeve, me një udhëtim shumë më të shkurtër. Gjithsesi, kandidatura shqiptare nuk është larguar nga tryeza, veçse është pretendente numër 2.

Islanda pritet ta ketë shumë të vështirë të udhëtojë drejt Anglisë që ndeshje e 18 nëntorit të luhet sipas planifikimit në stadiumin “Uembli” të Londrës, dhe kjo për shkak se islandezët do të kthehen nga Danimarka, një vend i vendosur në listën e kufizimeve për shkak të koronavirusit, nga ana e qeverisë britanike. Nëse zgjidhet Shqipëria, luhet në “Elbasan Arena” ose “Loro Boriçi”, por anglezët anojnë nga Gjermania, ndërsa shpresojnë që qeveria t’i lejojë të luajnë në Londër. Federata është e shqetësuar sepse do të ketë shpenzime shtesë, ndërsa që tani ajo ka 300 milionë paundë stërlina humbje për shkak të koronavirusit.

Sfidanti.al