Milani e humbi ndeshjen derbi “Madonina” ndaj Interit që arriti të shënoi gol me anë të Mauro Ikardit në min. e 93-të, por tifozëve “rosonerë” nuk u erdhi keq aq shumë nga goli i pësuar në fund të ndeshjes sesa nga mënyra sesi luajti Milani. Tifozët konsiderojnë se Milani luajti derbin më të keq gjatë 10 viteve të fundit, duke mos krijuar asnjë shans serioz, ndërsa lojtarët dukeshin si të pamotivuar dhe nuk organizuan asnjë sulm për të qenë. Lideri i titozëve kuqezi, Luka Liçi, përdori një gjuhë mjaft të ashpër, sidomos në drejtim të yjeve të ekipit milanez:
“Të luash derbi do të thotë të sulmosh, të luftosh, të nxjerrësh gjak nga goja dhe edhe mund të humbasësh, por, ama, mbasi të luash fort! Po në këtë ndeshje derbi çfarë pamë ne? Turp të keni që të gjithë pa përjashtim, edhe ju që ishit në fushë por edhe ata që nuk ishin, por që ju kanë mësuar të luani kështu, siç luajtët! Për juve nuk ka asnjë justifikim. Kini respekt për tifozët. Ata nuk bëjnë gjumë natën, për shkak të tensionit të derbit, presin katër orë në tribuna, vrasin mendjen dhe krijojnë koreografi, përpiqen të krijojnë erën që t’ju fryjë juve mbas shpinës që ju t’i fitoni ndeshjet, ata gjatë 90 minutave nuk pushojnë asnjëherë, por vetëm këndojnë dhe çirren, duke ju mbështetur juve. Të gjithë ata e duan me të gjithë zemër Milanin. Duket qartë se juve ju mungon milanizmi. Ne, siç duket, kërkojmë qiqra në hell, kërkojmë vlera që ju vetëm në ëndërr i shihni”! – shkroi Luka Luçi në rrjetet sociale.
Sfidanti.al