Milan, mos u bëj si “kinez i çmendur” që luan  me dorën në xhep !

Shtypi francez lëshon bombën! Milani ka lëvizur konkretisht për të arritur te Radamel Falkao. Sipas asaj që zbulon prestigjozja “France Football”, kuqezinjtë, në kërkim të një pyke, kanë menduar për bomberin e Monakos. Klubi milanez ka vendosur në pjatë plot 30 mln euro. Kjo ofertë e parë është refuzuar nga monegaskët, që nuk duan të heqin dorë nga ylli i tyre që, për momentin, s’është në shitje. Falkao, që është transferuar te Monako në vitin 2013 ka kaluar sezone të vështira mes Francës dhe Anglisë, ku ka veshur fanellat e Mançester Junajtidit dhe Çelsit përpara se të rilindë, gjithmonë në Principatë. 31-vjeçari kolumbian shënoi sezonin e shkuar 30 gola, që shërbyen edhe për të ecur në Champions dhe shpallur kampion. Aktualisht, Falkao është nën kontratë dhe i skadon më 2020 dhe Milani, pas kësaj oferte të parë, mund të rikthehet të trokasë, por këtë herë me më shumë dhe duke pasur mik Zhorzh Mendesh, çdo gjë është e mundur…

Kaliniç – Ndërkohë, për Kaliniç, Fiorentina ende është në pritje, por sirenat angleze dhe oferta e Evertonit është serioze. Në fakt, skuadra e Liverpulit ka ofruar jo pak por gati 25 mln euro, aq sa është edhe oferta e kuqezinjve, por bashkë me kartonin e Paletës, deri tani. Edhe pse, “Djalli” ska lëvizur zyrtarisht. Por, ka një problem dhe ai është Kaliniç. Në fakt, Milani ka “po”-në e kroatit, që pret tashmë duarkryq duke ditur se te Fiorentina s’do të vazhdojë më.

Obamejang – Sakaq, edhe pas fjalëve të drejtorit sportiv Mirabeli, ende e bllokuar mbetet situata e lidhur me Obamejangun, duke qenë se Dortmundi është duke bërë mur edhe sa i përket Dembelesë, që ka akord me Barcelonën. Kuqezinjtë e duan, por vlera e kartonit është mbi 100 mln euro dhe, nëse në fillim të verës, kuqezinjtë do të paraqiteshin me ofertë 80 mln euro, atëherë do të kishte qenë më e lehtë.

Ibra – Tjetër alternativë mbetet Ibrahimoviç, edhe pse ky i fundit do të ishte një farë bonusi. Në fakt, duhet theksuar se oferta që Raiola ka bërë, pra kontratë me paraqitje dhe sa herë që suedezi zbret në fushë si titullar, 1 milionë euro në xhepat e lojtarit.

 

Diego Kosta, ka ende shpresë

Diego Kosta te Milani? Ende nuk është thënë fjala e fundit. Të paktën kështu shkruhet në Itali, ku bëhet me dije edhe se kuqezijntë po presin përgjigjen e lojtarit, teksa me Çelsin s’do të kishin asnjë problem që të gjenin gjuhën e përbashkët.