Dembele “dembel”  për hir të Barcelones, Dortmundi ia tregon qejfin!

Osman Dembele nuk është paraqitur në stërvitje dhe kjo ka shkaktuar një kaos te Borusia Dortmundi, sepse mesfushori anësor nuk ka marrë leje dhe as ka njoftuar paraprakisht për mungesën e tij. 20-vjeçari, emri i të cilit së fundmi është lidhur me Barcelonën, si pasues i yllit Nejmar, ka arritur një marrëveshje paraprake me nënkampionët e Spanjës dhe prandaj ka munguar, por trajneri Peter Bos as që e priste. Ai u shpreh se është i befasuar, sepse nuk e di se çfarë po ndodh me lojtarin e tij. “Dembele sot (dje) nuk ishte në stërvitje dhe nuk e dimë pse. Jemi përpjekur të komunikojmë me të në telefon, por deri tani s’kemi arritur. Shpresojmë që të mos i ketë ndodhur asnjë gjë e keqe”, – deklaroi holandezi. Pak orë më pas, klubi njoftoi se e ka pezulluar përkohësisht lojtarin dhe e ka gjobitur.

Shifrat

Sipas së përditshmes katalanase “Sport”, Barcelona ka ofruar 90 milionë euro për të dhe 40 milionë të tjera në formë bonusesh. Dortmundi do më shumë nga shifra fikse dhe për këtë duhet negociuar. Dje u spekulua se Dembele ka qenë në Paris për të flutuar drejt Barcelonës, por në Spanjë shkruajnë se ai do të niset sot paradite.

Pasuesi

Dembele ende nuk është transferuar në “Camp Nou”, por në Dortmund kanë nisur punën për të gjetur pasuesin e tij. “Tuttomercatoweb” shkruan se ai është Injaki Uilliams dhe luan tek Atletik Bilbao. 23-vjeçari njihet për faktin se është një lojtar polivalent. Me baskët ai ka edhe katër vite kontratë dhe klauzola e tij e largimit është 50 milionë euro. Interes për të ka edhe Liverpuli dhe është gati për të paguar 50 milionë eurot, ndryshe nga Dortmundi që ngurron ta bëjë këtë, të paktën për momentin.