Dikur ka qenë kriminel dhe narkoman, kurse tani kampion bote!

“Unë, për pak, preka fundin, kam qenë pranë vdekjes dhe kam përjetuar ferrin e vërtetë, ndërsa droga po më çonte drejt vetëshkatërrimit. Nuk kam lënë gjë pa bërë, kam grabitur shtëpi, kam vjedhur telefona dhe gjera të tjera, vetëm që të blija drogë”, pranon sot atleti jugafrikan Luva Manjonga që u shpall, ditët e fundit, kampion bote në kërcimin së gjati me rezultatin 8,48 metra, në kampionatin botëror të Londrës. Me këtë rezultat, ai i siguroi vetes një vend midis “të pavdekshmëve” Bob Bimon, Karl Luis, Majk Pauell… Kur kësaj i shton edhe faktin se ai ka qenë kampion bote edhe midis të rinjve, atëherë, nuk bëhet më fjalë për sensacion.

Por, nëse kihet parasysh se, jo shumë kohë më parë, ai ka qenë narkoman, i zhytur në kriminalitet dhe vetëm një hap e ndante nga vdekja, atëherë, mund të konludosh me plot gojë se Manjonga (26 vjeç) është një hero i vërtetë. Ai gjeti kurajën e madhe që ta lejë mbrapa të gjithë ferrin që përjetoi, u shpërngul në Pretoria, iu kthye jetës së shëndetshme dhe sot është kampion bote!

Sfidanti.al