Alegri i druhet Romës, dhe nuk është i sigurt për Dibalën

Duhet të quhet një sfidë direkte për titull, pasi Maks Alegri nuk ka dyshime. Nesër luhet Juventus-Roma dhe trajneri i kampionëve ka një mendim të përcaktuar për kundërshtarin. “Roma duhet konsideruar në mënyrë natyrale si një pretendente për titull, – thotë ai, – madje është më shumë pretendente se të tjerat. Ka një skuadër të fortë dhe trajneri Di Françesko po bën një punë të shkëlqyer”.

Alegri ngre lart Di Françeskon duke thënë se është një “ekuilibrues shumë i mirë, pasi tek Roma është një ambient i vështirë, ku shkohet nga entuziazmi më i madh, në dëshpërimin më të thellë”. Trajneri juventin thekson edhe se skuadra e Di Françeskos ka pësuar vetëm 10 gola, vetëm 3 jashtë fushe, dhe nuk ka qenë kurrë në humbje jashtë fushe.

Po Juventusi si shkon në këtë sfidë për titull? E sigurt është që do të ketë disa mungesa, pasi Bufon, Hëvedes dhe De Shilio mbeten të dëmtuar, ndërsa Manxhukiç e Kuadrado nuk janë të sigurt nëse e kanë kaluar dëmtimin. Dyshimi tjetër quhet Paulo Dibala. “Nuk jam i sigurt nëse Paulo do të jetë titullar apo jo, por ai është kthyer, – thotë Alegri, – e rëndësishme është që të marrë veten plotësisht dhe të bëjë Dibalën si më parë”.

Sfidanti.al