Trajneri i Bristolit bleu shishe vere për Murinjon, por … e piu vetë!

Tradita në Angli e do që trajnerët të jenë miq pas ndeshjes. Pavarësisht nga konfliktet mes të tillëve si Ferguson, Venger, Murinjo apo Benitez, sërish zakonet janë ruajtur dhe këtë kishte parasysh trajneri i Bristol Sitit në ndeshjen ndaj Mançester Junajtid. Xho Xhonson kishte blerë një shishe vere shumë të shtrenjtë, me vlerë 450 paund stërlina, për ta pirë së bashku me Zhoze Murinjon, ashtu siç bënte Sër Aleksi apo Karlo Ançeloti.

Përfundimi ishte përrallor pasi skuadra e kategorisë së dytë e mundi 2-1 Mançester Junajtidin duke e eleminuar nga Kupa e Ligës. Gjithsesi, Murinjo nuk pati kohë për të qendruar gjatë në stadiumin “Eshton Gejt” dhe u largua shpejt, ndaj edhe trajneri 36-vjeçar vendas u kujdes vetë për verën e shtrenjtë. Ai u ul në zyrën e tij në stadium, së bashku me trajnerin e portierëve, dhe e pinë së bashku shishen e markës “Barsa Velja” (Barca Velha). “Trajneri i portierëve piu pjesën më të madhe”, – tha duke qeshur, Xhonsoni.

Sfidanti.al