Mohamed Salah, ylli i Premier Ligës nuk e ka harruar fshatin e tij

Kur ishte i vogël ëndërronte të bëhej futbollist i madh si idhujt e tij, Fenomeni Ronaldo, Zinedin Zidan dhe Françesko Toti. Më i madhi i katër fëmijëve shikonte ndeshjet e mëdha të Europës në televizor në fshatin e tij egjiptian, Nagrig. Vendbanimi i vogël, që duket i harruar nga njeriu, Natyra dhe Zoti, ndodhet në mes të rrugës mes Kairos dhe Aleksandrisë, 80 km në veri të kryeqytetit dhe aty hodhi hapat e parë në futboll një nga yjet e sotëm, Mohamed Salahu.

Pasi luajti në fushat me pluhur dhe pa bar të Nagrigut, Salah eci përpara, shkoi tek Çelsi, Roma dhe tani Liverpuli, ku është bërë lojtari më i mirë i ekipit dhe një nga më të mirët në botë. Pavarësisht nga fama e madhe që ka fituar dhe pasuria e vërtetë, që as nuk e imagjinonte, Mohamed ka mbetur një djalë i thjeshtë dhe nuk e ka harruar fshatin.

Ai ka blerë pajisje për palestrën e fshatit, ka paguar paratë për të ndërtuar një fushë moderne futbolli në shkollën “Mohamed Ajad Al-Tantaui”, ku ai studioi dhe luajti futboll, por po ashtu ndihmon vazhdimisht me para çiftet e reja që të martohen dhe të ndërtojnë familjen e tyre. Sot janë fëmijët e Nagrigut që ëndërrojnë të bëhen si Mohamed Salah.

Sfidanti.al