Cristiano Ronaldo po kalon një ndër vitet më të suksesshme në karrierën e tij si futbollist. Ai po thyen rekorde tek Al-Nassr, po udhëheq Portugalinë drejt triumfit dhe si gjithmonë po inspiron gjeneratat e reja. Shumëkush mund të kishte menduar se asnjë klub nuk do të llogarisë në një 38-vjeçar, por Ronaldo e ka dëshmuar të kundërtën duke shënuar gola javë pas jave në Lindjen e Mesme. Sulmuesi portugez gjeti dy herë rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Al-Ittihadit, të cilën Al-Nassr e fitoi me rezultat të thellë 5-2. Me këta dy gola të shënuar ai ka kapur shifrën e 53 golave të shënuar brenda vitit 2023, për të mbajtur kështu gjallë shpresat e klubit arab për titullin kampion. Ai ka lënë mbrapa vetes yje të futbollit evropian si Kylian Mbappe dhe Erling Haaland që kanë secili nga 52 gola të shënuar. Tani ai është edhe zyrtarisht golashënuesi më i mirë i këtij viti, pasi Mbappe dhe Haaland nuk do të zhvillojnë më ndeshje me klubet e tyre respektive këtë vit.
sfidanti.al