Leiçester dhe Ranieri duan vetëm rekordet, edhe kur ata janë negativë!

Sezonin e kaluar ata habitën jo vetëm Anglinë, por gjithë botën duke realizuar një “trimëri” që besohet nuk ishte parë kurrë. Leiçester Siti, krejt i lënë jashtë vëmendjes, u shpall kampion i Anglisë në majin e shkuar dhe trajneri Klaudio Ranieri u cilësua si trajneri më i mirë i vitit 2016. Italiani dhe skuadra e tij sërish po synojnë të thyejnë një rekord, pikërisht atë që një skuadër kampione të bjerë nga kategoria sezonin pasardhës.

Disfata në fushën e Suonsit bëri që “dhelprat” të jenë vetëm 1 pikë mbi zonën që të zbret në “Championship”. Ndeshja përfundoi 2-0 për vendasit në “Stadiumin e Lirisë”, ku nuk u duk se ishte Leiçesteri i vërtetë, por hija e tij më e zbehtë. Mediat britanike iu vunë me kritika futbollistëve të cilët, sipas gazetarëve, ankohen privatisht për trajnerin, por që gabojnë gjithçka në fushën e lojës. Mediat veçuan një moment që e simbolizon krejt edicionin e kampionëve, atë të pjesës së parë kur Dani Simpson mori të ekzekutonte një rivënie anësore dhe e hodhi topin … jashtë fushës.

Me këtë “shpejtësi” që po degradon skuadra, dhe me fytyrën e dorëzuar të Klaudio Ranierit, besohet se Leiçesteri do ta vendosë edhe rekordin negativ, duke rënë nga Premier Liga një vit pasi doli kampion.

Sfidanti.al