Nga Drazhen Petroviç tek Super Dario, Kroacia kthehet në NBA

Në Amerikë fillimisht pritën me kënaqësi një kroat të ardhur nga Barcelona, të quajtur Mario Hezonja. Nofka e tij e menjëhershme ishte SuperMario. Gjithsesi, kur ka kaluar pjesa më e madhe e sezonit, është një tjetër kroat që meriton epitetin Super, veçse jo Mario, por Dario. Ai është Dario Shariç dhe luan për Filadelfia Siksersin në ligën më të fortë të basketbollit të botës, NBA. Kanë kaluar 24 vjet që nga ndarja tragjike nga jeta e “Mozartit të basketbollit”, Drazhen Petroviç, dhe Kroacia sikur ishte zhdukur nga arenat më të mëdha të koshit në planet.

Mallin e supertalentit të lindur në Shibenik, dhe që shkëlqeu me Shibenkën, Cibonën, Realin dhe Nju Xhersin (nuk pati mundësi tek Portlendi), pritet ta nxjerrë një tjetër talent i madh, lindur edhe ai në qytetin kroat të Shibenikut. Njëzetedyvjeçari luajti gjithashtu tek Cibona për dy vjet, pastaj tek Anadolu Efes për të kaluar më në fund në NBA.

Ai është një nga tre lojtarët debutues më të mirë të sezonit, dhe në ndeshjen e fundit, fituar nga Filadelfia ndaj Orlandos (112-111), Super Dario shënoi 24 pikë (me tre kosha tripikësh), pati 8 topa në tabela dhe 3 vjedhje topi kundërshtarëve, madje nuk e humbi asnjë herë topin. Një lojtar shumë modern, mjaft i talentuar dhe me shtatlartësi të rëndësishme (2.08 metra), ai bën pjesë në një grup lojtarësh që pritet ta kthejnë sërish Filadelfian në një forcë të NBA-së, siç ka qenë dikur.

Bashkë me Shariçin 22-vjeçar, është edhe gjigandi 22-vjeçar Ebid (2.18 metra), Holms (23 vjeç), Luvavu-Kabarot (21), Nerlens (22), Okafor (21), Sajmons (20) dhe Stauskas (23 vjeç).

Sfidanti.al