E bukur dhe e rrallë, bastard në futbollin tonë ka shijen  e..mjaltit

Ju kujtohet penalltia budallaqe e Skënderbeut ndaj Korabit  kur arbitri Klajdi Kola as nuk e hezitoi që të linte gjurmët e gishtave në “vrasjen” e ndeshjes? Sigurisht, nuk mund të harrohet dhe me meritë ka hyrë në listën e mëkateve më të spikatura të këtij kampionati i cili “është ndër më të bukurit e viteve të fundit”, ndofta edhe për arsyen se bomberat jo gjithmonë shënojnë me këmbë, por edhe me bilbil. Sidoqoftë, më shumë se vetë penalltia e lajthitur, do të kujtohen fjalët pickamë që tha trajneri i Korabit, Gerti Haxhiu, fill pas ndeshjes: “ Arbitri ishte një bastard!” Dhe e përsëriti disa herë më frikën se futbolli ynë nuk dëgjon mirë nga veshët, sidomos kur porta është 11 metra larg nga e vërteta.

Në këtë kampionat, kemi dëgjuar shumë akuza dhe epitete fyes për “nxënësit e mësuesit anglez”, por kjo e Haxhiut  ishte një frazë që tejkaloi orbitën, prandaj edhe pati shumë kumbim nëpër studio dhe gazeta.  Edhe nëpër zyrat e FSHF kjo akuzë kishte bërë një xhiro jo fort të zakonshme, sa thuhej me qesëndi: “  E dhjeu arbitri me vendimin, por, ky trajneri Haxhiu, që mbahet djalë me edukatë, e djallosi fare”.  Pritej një dënim ekzemplar, sa zyrtarët kishin frikë se fjala “bastard”  mund të hiqej edhe nga fjalori. Nga ajo ditë, asgjë nuk ka ndodhur,  madje dikush ka spiunuar një koment shefash: “  Bastard nuk ka gjithnjë kuptim të keq, siç kujtojnë disa”.

Sfidanti.al