Në fitoren bindëse (3-1) të Totenhemit ndaj Realit të Madridit në Londër, në Ligën e Kampioneve, sigurisht që një meritë të madhe ka Dele Ali që shënoi dy gola, duke luajtur shkëqyeshëm gjatë të gjithë ndeshjes dhe, madje, duke kujtuar stilin e famshëm të lojës së Zinedin Zidanes, pasi atë e gjeje në çdo pjesë të fushës, vraponte gjithandej, e driblonte kush i dilte para, mbyllej e hapej, kur duhej, dhe ajo që kishte më shumë rëndësi, shënonte gola.
Sidoqoftë, pakkush di më tepër për këtë lojtar të ri, të cilin e ëma e vet e ka rritur vetëm pa burrë, me njëqind halle. Në rininë e tij të hershme, Dele Ali ra në një shoqëri shumë të keqe, bënte pjesë në banda rrugaçësh që vidhnin, grabisnin e rrihnin njerëz. Madje, edhe mamaja e tij tregon sesa frikë kishte ajo se mos djali përfundonte në burg.
“Ato ishin ditë mjaft të vështira për neve, ne jetonim në një banesë të vogël, unë isha vetëm me katër fëmijë për t’i ushqyer dhe për t’i rritur. Kisha shumë frikë se mos djali përfundonte në burg, por, shyqyr Zotit, që ai u dha shumë mbas futbollit që e shpëtoi atë nga rruga e keqe dhe tani ai është bërë ai që ështe”, thotë e ëma e Dele Alit. Sidoqoftë, ky djalosh u “gdhënd” mirë dhe tani për këtë “rrugaç delikuent” të dikurshëm flet e gjithë bota, por si për një futbollist të talentuar.
Sfidanti.al