Antuan Grizman nisi tratativat me Barcelonën në muajin nëntor, kur të gjithë titujt sezonal ishin në diskutim dhe firmosi me skuadrën blaugrana në muajin mars përpara se të përfundonte faza e 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve mes Atletiko Madrid dhe Juventusit. Kjo është ajo që është zbuluar te programi i Cadena SER, ‘El Larguero’ ku theksohet se ekzistojnë provat të kësaj cështje dhe se shumë shpejt do të dalin në dritë.
Grizman ishte shumë pranë kalimit te Barcelona edhe verën e kaluar, por në fund sulmuesi, përpara fillimit të Botërorit të Rusisë, mori vendimin që të qëndrojë edhe 1 vit te Atletiko Madrid. Në 14 maj të këtij viti, Grizman bëri të ditur largimin e tij nga skuadra madrilene pasi ishte në kërkim të sfidave të reja.
Sipas Cadena SER, Grizman e kishte firmosur kontratën me barcelonën kur Atletiko Madrid luajti në Camp Nou sfidën e kampionatit me katalanasit. Vlen të kujtohet se Grizman ka një kontratë me Atletikon deri në vitin 2023 me klauzolë të zgjidhjes së kontratës prej 200 milionë Euro, por që në 1 korrik do të reduktohet në 120 milionë. Ndërkaq, sipas të përditshmes ‘El Mundo Deportivo’, Barcelona nga ana e saj e ka konfirmuar interesin për blerjen e Grizmanit, por ka mohuar nënshkrimin e kësaj kontrate me të.
sfidanti.al