Milan dhe Newcastle në rritje, katastrofë PSG dhe Dortmund

Borussia e Dortmundit dhe Milani konsumuan një 90 minutësh të luftuar por që në fund nuk prodhoi asgjë përvec rasteve të shpërdoruara. Për të dytën ndeshje rresht, kuqezinjtë nga Milano nuk gjetën rrugën e rrjetës në UEFA Champions League dhe kjo është një këmbanë alarmi por në krahun tjetër edhe Borussia e regjistron këtë statistikë e madhe situata në kampin e verdhezinjve është edhe më shqetësuese. Skuadra e Terzic nuk i respektoi pritshmëritë dhe pasionin e rreth 80 mijë të pranishmëve në Westfalenstadion duke zhgënjyer jo vetëm në paraqitje por në momentet kur duhej të nxirrte në pah karakterin për t’i bërë ballë klasit të miqve. Asnjë gol i shënuar, vetëm 1 pikë dhe vendi i fundit në grup për “grerëzat”, rruga e të cilëve tashmë bëhet malore pasi do të sfidojnë në 180 minutat e ardhshme skuadrën e Newcastle.

Ndryshon disi situata për Milanin që dha sinjale interesante por vetëm Giroud pranë portës është sumë pak dhe ndalesa e radhës në Paris mund të rezultojë vendimtare për skuadrën kuqezi. Në ndeshjen tjetër të grupit F, PSG mori një leksion futbolli nga Newcastle që ka marrë frerët e këtij grupi me 4 pikë, aq sa edhe golat e shënuar në ndeshjen e “St. James Park”. Ndeshja më e dobët e viteve të fundit në kampin francez dhe kjo reflektohet në sjelljen e Mbappe në fushën e lojës i cili e goditi portën për herë të parë vetëm në minutën e 85. Pas këtij raundi, Newcastle kryeson me 4 pikë, i ndjekur nga PSG me 3, Milan me 2 dhe Borussia me 1.

sfidanti.al