Ramosi ndërhyn në çështjen “Mbape”: Rri që të fitojmë Championsin!

E kishte thënë një herë mendimin e tij, të drejtpërdrejtë, por gjithsesi në intervistë. Sergio Ramos pranoi se e ardhmja e Kilian Mbapesë një ditë duhet të jetë në Madrid tek Reali, por gjykoi se për momentin e do në krah për të arritur sukseset tek Paris SG. Mediat spanjolle shkruajnë “me frikë” se ish-kapiteni madrilen ka ndërhyrë direkt tek Mbapeja për ta bindur që të mos largohet këtë vit, për të fituar së bashku Championsin. Një foto e të dyve e bërë në qendrën stërvitore të PGS-së nxiti polemikat se Ramosi po punon në krah të sheikut Al Helaifi. Nuk dihet se çfarë i ka thënë qendërmbrojtësi spanjoll sulmuesi francez, e po ashtu nuk dihet nëse ky do të pranojë rinovimin. Ekziston edhe mundësia tjetër, që Mbape të mos largohet për të fituar Championsin me Ramosin, e pastaj të shkojë tek Reali me parametër zero.

Sfidanti.al