Largimi i Ramos nga Reali? Florentino Perez i kushton 25 milionë Euro

Reali i Madridit po përjeton ditë shumë të nxehta edhe pse stina e verës nuk ka ardhur ende. Sezonit katastrofik të klubit merenges i bashkohen polemikat e forta mes presidentit Florentino Perez dhe kapitenit Serhio Ramos pas përfundimit të ndeshjes me Ajaksin e mbyllur 1-4 për Harkëtarët holandezë.

Gjatë diskutimeve që ishin të tensionuara, Perez e kërcënoi se do të largonte Ramos me futbollistin që iu përgjigj: Më paguaj dhe unë iki. Por sipas të përditshmes spanjolle AS, për Florentino Perez nuk do të jetë aspak e lehtë të përjashtojë Ramos nga skuadra. Kjo për faktin se Serhio Ramos gëzon mbështetjen e tifozerisë së Realit të Madridit, por edhe për kostot financiare që mban një lëvizje e tij me presidentin e Los Blancos që do të jetë i detyruar t’i paguajë 25 milionë Euro futbollistit për zgjidhje të njëanshme të kontratës

Në vitin 2015, kapiteni i Realit të Madridit rinovoi kontratën deri në vitin 2020. Në atë kohë Mancester Junajtid e kërkoi me ngulm futbollistin dhe Perez i rinovoi kontratën spanjollit pas një një periudhe të gjatë tratativash, por përpara pak muajsh Ramos e rinovoi sërsh kontratën e tij edhe për një vit, falë rendimentit të shfaqur prej tij në fushën e lojës.

sfidanti.al