Reali i Madridit e ka përjetuar, me mjaft dhimbje, humbjen 0-3 të derbit “El Klasiko”, të cilën shumëkush e konsideronte si një “fije kashte”, pas së cilës donin që të kapeshin “mbretërorët” që të qëndronin ende në luftën për titullin e La Ligës spanjolle. Sidoqoftë, si Barcelona që tani është 14 pikë para, ashtu edhe Reali, nuk e thonë ende se gara për titull ka mbaruar, megjithëse është, pak a shumë, e qartë se katalonjasit kanë një epërsi jashtëzakonisht të favorshme që, në fakt, gjatë historisë, asnjëherë nuk është arritur.
Disfata 0-3 e Realit bëhet më e dhimbshme, kur dukej se ekipi “mbretëror” ndodhej në një formë mjaft të mirë dhe predispozicioni shpirtëror ishte fantastik, për të mos thënë euforik, pasi Reali u shpall në Abu Dabi kampion bote midis klubeve, duke mundur në finale 1-0 Gremion e Brazilit. Mbas humbjes, trajneri Zinedin Zidane dhe kapiteni Serhio Ramos vunë në dukje se ekipi i tyre duhet të luftojë deri në fund të sezonit dhe se, për më tepër, edhe matematika konsideron se titulli i kampionit të Primerës ende mund të fitohet.
Gazeta e njohur spanjolle, “Marka”, ndërkohë, vinte në dukje se presidenti i Realit, Florentino Perez, mbas ndeshjes “El Klasiko” kishte shkuar në dhomën e zhveshjes së ekipit të vet dhe i kishte shprehur mbështetjen e vet trajnerit Zinedin Zidane. Sipas “Markës”, presidenti Perez, megjithëse i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes, kishte shkuar posaçërisht në dhomën e zhveshjes së Realit që të bënte të ditur se ai ka besim te puna e Zidanes dhe se i mbështet idetë e tij, pavarësisht nga kritikat e medias në adresë të trajnerit sa i përket mënyrës së lojës së Realit, sidomos, formacionit të parë të ekipit.
Sfidanti.al